Secondary Adv

BE dhe SHBA shmangin luftën tregtare, finalizohet marrëveshja për tarifat

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë finalizuar marrëveshjen e re tregtare pas muajsh negociatash intensive, duke shmangur një përshkallëzim të ri të tarifave dhe tensioneve ekonomike mes dy blloqeve.

Marrëveshja u arrit pas negociatash intensive

Teksti final i marrëveshjes u dakordësua në orët e para të së mërkurës mes shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe eurodeputetëve, ndërsa negociatat u koordinuan nga presidenca qipriote e BE-së.

 

Sipas draftit përfundimtar, Bashkimi Evropian do të heqë tarifat për produktet industriale amerikane, ndërsa Shtetet e Bashkuara do të mbajnë një kufi tarifor prej 15 për qind për eksportet evropiane.

 

Trump kishte paralajmëruar rritje tarifash

Marrëveshja mori rëndësi të veçantë pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili kishte paralajmëruar se nëse dokumenti nuk ratifikohej deri më 4 korrik, tarifat për automjetet evropiane do të rriteshin nga 15 në 25 për qind.

 

Tashmë, procesi pritet të kalojë në fazën e votimeve përfundimtare në Parlamentin Evropian dhe në shtetet anëtare. Sipas institucioneve europiane, ratifikimi mund të përfundojë brenda afateve të parashikuara, me votimin në Parlamentin Evropian që pritet më 16 qershor.

 

BE përfshin mekanizma mbrojtës në marrëveshje

Ministri i Tregtisë i Qipros, Michalis Damianos, deklaroi se ruajtja e një marrëdhënieje transatlantike të qëndrueshme dhe të parashikueshme është në interes të të dyja palëve.

 

Versioni final i marrëveshjes përfshin edhe disa mekanizma shtesë mbrojtës për Bashkimin Evropian. Mes tyre është zgjatja e afatit të marrëveshjes deri në fund të vitit 2029, në vend të vitit 2028.

 

Negociatorët kanë përfshirë gjithashtu masa që synojnë mbrojtjen e industrive europiane në rast të rritjes së ndjeshme të importeve amerikane, ndërsa Komisioni Evropian fiton të drejtën të pezullojë marrëveshjen nëse SHBA nuk respekton angazhimet e marra.

 

Ratifikimi u vonua nga debatet politike

Megjithëse marrëveshja fillestare ishte arritur që në korrik të vitit të kaluar, procesi i ratifikimit u shty disa herë për shkak të kundërshtimeve në Parlamentin Evropian.

 

Eurodeputetët kishin bllokuar procedurat fillimisht pas deklaratave të Donald Trump për Groenlandën dhe më pas pas vendimit të Gjykatës Supreme të SHBA-së, e cila rrëzoi një pjesë të kuadrit tarifor global të administratës amerikane.

 

Burimi: BalkanWeb


Më të lexuarat